spot_imgspot_img
spot_img

Ambasadori amerikan në NATO: SHBA-ja do stabilitet në Ballkanin Perëndimor

Në një nga panelet e Forumit Strategjik të Bledit, ambasadori amerikan në NATO, Matthew G. Whitaker, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndjekin nga afër situatën në Serbi dhe në entitetin Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës, me synimin që të mos lejohet asnjë zhvillim që mund të çojë në konflikt rajonal.

“Po ndjekim me shumë kujdes gjithçka që po ndodh si në Republikën Sërpska, ashtu edhe në Serbi. Aktualisht, jemi të përqendruar që situata të mos shndërrohet në një konflikt të mundshëm rajonal”, tha Whitaker.

Ai theksoi se SHBA-ja “do stabilitet në Ballkanin Perëndimor” dhe kjo, siç tha, është e rëndësishme edhe për partnerët evropianë brenda NATO-s, të cilët “e kanë detyrim të veprojnë së bashku në situata krize”.

Serbia ka qenë prej muajsh e përfshirë nga protestat antiqeveritare, të cilat shpesh janë shndërruar në episode dhune, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiq, pa asnjë provë, akuzon agjitatorë të huaj për përpjekje për të nxitur revolucion.

Në Republikën Sërpska, Millorad Dodik sfidon vendimin e Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës për t’ia hequr mandatin presidencial pas një dënimi dhe vazhdimisht kërcënon me ndarjen e këtij entiteti nga pjesa tjetër e Bosnjës.

I pyetur nëse NATO-ja do të ndërhynte, nëse kriza politike do të përshkallëzohej në një konflikt të armatosur, sidomos në Bosnje dhe Hercegovinë, por edhe në Serbi, Whitaker tha se NATO-ja vepron me unanimitet, por shtoi se “jemi shumë larg diçkaje të tillë”.

“Nëse NATO-ja do të përfshihet… Rregulli numër 1 në politikë është të mos u përgjigjesh hipotezave. Mendoj se duhet të shohim se si do të zhvillohen gjërat”, tha Whitaker.

“Ne do të vazhdojmë t’i inkurajojmë të gjitha palët që të punojnë në përputhje me marrëveshjet e Dejtonit”, tha ai, duke iu referuar marrëveshjeve që i dhanë fund luftës në Bosnje në vitet ’90.

Ambasadori amerikan tha, po ashtu, se “NATO-ja është më e fortë se kurrë” dhe se “kjo duhet të jetë shumë shqetësuese për kundërshtarët tanë”.

Në pyetjen nëse presidenti amerikan, Donald Trump, mund të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ose me ish-presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, Whitaker tha se për takime të tilla nuk ka asnjë paralajmërim, por se ato mund të diskutohen nëse do të kishte përfitime të qarta për paqen dhe stabilitetin.

Ai tha se presidenti Trump ka një aftësi të veçantë për të komunikuar me liderë botërorë, për të përdorur ndikimin e presidencës amerikane dhe fuqinë e shtetit, në të mirë të paqes, demokracisë, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik.

Ai theksoi se, nëse Trump do të vendoste të takohej me Vuçiqin ose Dodikun, një gjë e tillë nuk do të bëhej për të forcuar pozitën e tyre politike, por vetëm nëse do të shërbente për avancimin e interesave më të gjera të paqes dhe stabilitetit.

“Sigurisht që nuk do të pranonte një takim që synon forcimin e pozicionit politik të ndonjë udhëheqësi. Kjo nuk është ajo që bën presidenti Trump”, tha ambasadori amerikan.

Ai e përshkroi Trumpin si “paqebërës”, duke theksuar se politika e tij fokusohet në rezultate dhe në krijimin e mundësive për përparim./REL/

 

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA