Procesi zgjedhor në veri të vendit kaloi qetësisht, por jo edhe ai paszgjedhor. Shkuarja e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, u përcoll me tensione të shumta, shkaku i kundërshtimeve nga ana e qytetarëve të komunitetit serb.
Andaj vlerësohet se zgjidhja mund të jetë vetëm politike.
“Zgjidhje mund të kemi, por zgjidhja do të jetë politike, gjithmonë me ndërmjetësimin e Brukselit dhe sigurisht do të shkohej në zgjedhje. Ne e kemi pa edhe prej ambasadorëve të huaj që këto zgjedhje, këta kryetarë të komunave janë të përkohshëm me një detyrë teknike, deri në zgjedhjet e ardhshme”, tha analisti politik, Bekim Kabashi.
Se duhet punuar në javët në vazhdim për zgjedhjet e reja, të hënën e tha edhe eurodeputetja Viola Von Cramon, derisa për tensionet tha se do të mund të parandaloheshin nëse kryetarët nuk do të provonin të hynin në objekte me forcë.
Por, ndryshe mendon politologu Fidan Ukaj, që vlerëson se kryetarët e kanë vendin në komunë e jo nëpër fshatra.
“Ata nuk janë zgjedhur kryetarë të fshatrave, por të komunave dhe vendi ku duhet të ushtrohet ky funksion është kuvendi komunal. Dhe me të drejtë kryetarët e zgjedhur kanë shkuar në vendet e tyre të punës dhe duhet që funksioni i kryetarit të komunës të kryhet nga aty”, tha Ukaj.
Sipas tij, edhe rezistenca e serbëve nuk do të zgjasë shumë, vetëm duhet vendosmëri nga organet kompetente të Kosovës.
“Unë mendoj që mund të ketë një rezistencë në ditët e ardhshme, mirëpo besoj që nëse forcat e rendit do të jenë të vendosura që grupet kriminale që iu prijnë këtyre aksioneve do të arrestoheshin, e qytetarët e vendit do ta pranojnë një realitet të tillë”, tha Ukaj.
Kryetarët e dalë nga zgjedhjet e 23 prillit në 4 komunat veriore të vendit, fituan me një përqindje të vogël të votave të qytetarëve, pasi serbët i bojkotuan zgjedhjet krejtësisht. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: