Sint-Truiden VV ka konfirmuar transferimin e sulmuesit anësor, Arbnor Muja, nga Samsunspor, në formë huazimi për një sezon, me të drejtë blerjeje.
Muja e nisi karrierën e tij në Kosovë, duke kaluar më pas në huazim te Braunschweig në Gjermani dhe KF Skënderbeu në Shqipëri. Ai u afirmua te KF Trepça ’89, nga ku më pas u transferua te FC
Drita në një ndër klubet më të suksesshme të futbollit kosovar.
Performancat e tij mbresëlënëse në Ligën e Konferencës me Dritën tërhoqën vëmendjen e Antwerp-it, që e afroi në verën e vitit 2022.
Me klubin belg, 26 vjeçari fitoi titullin kampion në Jupiler Pro League dhe Kupën Croky, duke u bërë një element i rëndësishëm në formacion. Në shkurt të vitit 2024, ai u bashkua me skuadrën turke Samsunspor, ku vazhdoi me paraqitje të qëndrueshme dhe në nivel të lartë.
“Ende i kujtoj mirë ndeshjet kundër Sint Truiden VV. Dy herët që luajta në Stayen, ndjeva menjëherë pasionin dhe besnikërinë e tifozëve. Ky entuziazëm më motivon si lojtar dhe do të jap gjithçka për të shpërblyer mbështetjen e tyre me gola dhe asistime,” u shpreh Muja pas prezantimit.
Në karrierën e tij deri më tani, mitrovicasi ka zhvilluar 226 ndeshje zyrtare, ka realizuar 40 gola dhe ka dhënë 24 asistime. Ai gjithashtu ka regjistruar pesë paraqitje me Kombëtaren e Shqipërisë. /ATVLIVE.TV