Mesfushori i kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, po përballet me një periudhë të vështirë në aventurën e tij në Skoci. 26-vjeçari, i cili iu bashkua Rangers me pritshmëri të larta, duket se ka humbur besimin e trajnerit Russell Martin.
Në tri ndeshjet e fundit, përfshirë sfidën e parë të Play Off-it të Champions League dhe dy përballjet e fundit në kampionatin skocez, Bajrami nuk është grumbulluar fare. Mungesa e tij e vazhdueshme ka ngritur pikëpyetje serioze mbi të ardhmen e tij në klubin skocez.
Burime pranë klubit raportojnë se mesfushori nuk është më pjesë e planeve taktike të trajnerit Martin, çka shton gjasat që ai të largohet para përfundimit të merkatos verore.
Interesimi për shërbimet e reprezantuesit shqiptar nuk mungojnë. Dy klube prestigjioze europiane, Udinese nga Serie A dhe Sevilla nga La Liga, kanë shprehur interes konkret për të afruar futbollistin në radhët e tyre.
Bajrami është i lidhur me Rangers deri në vitin 2028, por klubi skocez është i hapur për një largim të mundshëm nëse paraqitet një ofertë në rangun e 3 deri në 4 milionë euro. Një shumë e tillë do të ishte e mjaftueshme për të bindur drejtuesit e Rangers të japin “dritën jeshile” për largimin e tij.
Në këtë fazë të karrierës, një rikthim në Serie A ose një aventurë e re në elitën e futbollit spanjoll mund të jetë pikërisht ajo që i nevojitet Bajramit për të rifituar formën dhe rolin e tij si titullar, si në klub ashtu edhe në kombëtare./ATVLIVE.TV