Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen ka folur pas vizitës në Serbi ku u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai në një postim në rrjetin social X ka theksuar rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke deklaruar se të njëjtën gjë e ka bërë edhe gjatë vizitës në Beograd.
“Pas vizitës time në Kosovë në fillim të gushtit, isha në Beograd për bisedat përgatitore para takimeve të radhës të dialogut. I dëgjova me kujdes bashkëbiseduesit e mi dhe theksova rëndësinë e normalizimit për hir të qytetarëve”, ka thënë ai.
Sorensen gjatë vizitës në Kosovë më 6 gusht ku ka takuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, ka kërkuar implementimin e marrëveshjeve.
Ai në një adresim për media, pas takimeve, pati deklaruar se për shkak të situatës aktuale politike në Kosovë gjërat mund të marrin më shumë kohë.
Kurti pas takimit me Sorensenin pati deklaruar se ka kërkuar më shumë mirënjohje për përpjekjet e Kosovës në integrimin e komunitetit serb./ATVLIVE/