Sulmuesi i talentuar i KF Llapit, Ardit Tahiri, është zyrtarizuar si përforcimi më i ri i HJK Helsinki, klubi më i suksesshëm në historinë e futbollit finlandez. 22-vjeçari i bashkohet ekipit nordik në formë huazimi për një sezon, me një opsion blerjeje të përfshirë në marrëveshje qw wshtw një tregues i qartë i besimit që finlandezët kanë ndaj potencialit të tij.
Tahiri është një profil sulmuesi modern, që kombinon fuqinë fizike, shkathtësinë teknike dhe efikasitetin në zonë. Ai shquhet për prezencën imponuese në duelet ajrore, ndërsa është po aq i rrezikshëm edhe me topin në këmbë, falë aftësisë për të përfunduar aksionet në mënyra të ndryshme.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që i bashkohem ekipit Helsink. Është një hap i madh për mua të luaj për klubin më të madh në Finlandë. Synimi im është të ndihmoj skuadrën të arrijë objektivat, veçanërisht fitimin e kampionatit. Do të jap maksimumin tim për këtë fanellë,” – deklaroi Tahiri në prezantimin zyrtar.
Pas një sezoni të shkëlqyer me KF Llapin në Superligën e Kosovës, ku shënoi 16 gola në 33 ndeshje, Tahiri tërhoqi vëmendjen e klubeve të huaja me paraqitjet e tij vendimtare. Ai konsiderohet gjerësisht si një nga sulmuesit më premtues të gjeneratës së re në futbollin kosovar.
Karriera e tij nisi që në moshë të re me KF Besa Pejë, ku debutoi në elitën e futbollit të Kosovës gjatë sezonit 2020/21, duke shënuar 9 gola në sezonin e tij të parë si profesionist. Më pas kaloi te FC Drita, ku vazhdoi formën pozitive duke regjistruar një tjetër sezon me 9 gola.
Në vitin 2024, ai kaloi për një përvojë të shkurtër në Shqipëri me Dinamo City, ku qëndroi për gjashtë muaj, përpara se të rikthehej në Kosovë dhe të firmoste me KF Llapin, klub në të cilin e pati sezonin më produktiv të karrierës deri më tani./ATVLIVE.TV