Carlo Ancelotti, trajneri i ri i Kombëtares së Brazilit, ka shpallur listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026, duke lënë jashtë yllin Neymar Jr., i cili është i lënduar.
Në konferencën për shtyp, Ancelotti u shpreh i emocionuar për ndeshjen e parë në krye të “Seleçaos”, që do të zhvillohet në stadiumin legjendar “Maracanã”.
“Është e qartë se jam shumë i emocionuar që do të drejtoj Brazilin për herë të parë në Maracanã”, tha tekniku italian.
Brazili do të përballet me Kilin më 4 shtator në Maracanã, ndërsa më 9 shtator do të luajë në “El Alto” kundër Bolivisë.
Ish-trajneri i Real Madridit shpreson në përmirësim të mëtejshëm të skuadrës pas dy ndeshjeve të muajit qershor ndaj Ekuadorit dhe Paraguait, nga të cilat doli me një fitore dhe një barazim.
“Ekipi mund të përmirësohet në aspektin e cilësisë së lojës dhe intensitetit. Kemi kohë për këtë, edhe pse jam i kënaqur me atë që pamë kundër Paraguait”, shtoi Ancelotti.
Ai deklaroi se nuk ka hasur asnjë vështirësi në ambientimin me realitetin e ri në Amerikën Jugore.
“Atmosfera në kombëtare është shumë pozitive, e ngrohtë dhe familjare. Kam gjetur organizim të mirë dhe përgatitje të lartë, prandaj nuk kemi pasur asnjë problem”, theksoi ai.
Një nga mungesat më të mëdha në këtë grumbullim është Neymar Jr., i cili aktualisht është i lënduar. Ancelotti sqaroi se mosftesa e tij nuk ka të bëjë me zgjedhje taktike.
“Neymarin e njoh mirë, nuk kam nevojë ta testoj”, u shpreh ai.
Në vend të tij, është ftuar Wesley, mbrojtësi i djathtë i Romës, i cili spikati fundjavën e kaluar me një gol në “Olimpico”.
Ancelotti theksoi se këto dy ndeshje do t’i shfrytëzojë për të njohur më mirë lojtarët që nuk ka pasur mundësi t’i shohë nga afër.