Albian Hajdari ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij duke u transferuar nga Lugano te Hoffenheim, në Bundesligë, një nga pesë ligat më të forta në Evropë.
Mbrojtësi 22-vjeçar ishte një prej lojtarëve kryesorë të Luganos dhe konsiderohet një prej shpresave të futbollit zviceran.
Edhe pse pritej që të shkonte në Ligën Premier, Hajdari vendosi të vazhdojë karrierën në Gjermani, ku do të bashkohet me dy futbollistë me origjinë shqiptare, Fisnik Asllanin dhe Leon Avdullahun, të cilët luajnë gjithashtu te Hoffenheimi.
Ky transferim erdhi si pasojë e një lëndimi serioz të Koki Machidas, që krijoi nevojën për një qendërmbrojtës të ri në skuadër.
Hajdari ka kaluar nëpër akademitë e Baselit dhe Juventusit, ndërsa që nga viti 2022 është pjesë e Luganos, ku u bë një prej lojtarëve kyç.
“Jam shumë i emocionuar për sfidën e re te Hoffenheimi dhe në Bundesligën gjermane, që është një nga ligat më të forta në Evropë. Bisedimet me klubin ishin shumë pozitive, dhe unë do të jap maksimumin tim për të ndihmuar skuadrën të arrijë objektivat,” tha Hajdari.
Në total, ai ka regjistruar 110 paraqitje për Luganon dhe nëntë për Baselin. Në Superligën zvicerane ka luajtur 91 ndeshje, ndërsa 11 të tjera në Ligën e Konferencës dhe Kupën zvicerane.