Donika Gërvalla, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, që të mërkurën nuk mori votat e partive që deri tash ishin në opozitë, ka thënë se të paktën deputetët e ish-partisë së saj, Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë pasur më shumë se një arsye për ta votuar.
Pas dështimit për të zgjedhur kryeparlamentarin edhe të premten, në propozimin për Hekuran Muratin, Gërvalla ka thënë se kjo tregon se bllokimi s’lidhet me emra, por me mosgatishmërinë e opozitës për të shkuar në fazë të re.
“Frika e opozitës nga Qeveria Kurti 3 është shpërfaqur hapur muajve të fundit dhe s’ka asnjë arsyetim që mund ta bindë cilindo qytetar të republikës që qenka çështja për emra të përveçëm”, ka thënë ajo, teksa ka lidhur sërish emrat e partive opozitare shqiptare me atë të Listës Serbe. “Kushtetuta e thotë shumë qartë, propozimi është i subjektit fitues. Subjekti fitues sot ka dhënë emrin e tretë me radhë dhe përsëri reagimi i njëjtë. PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe… AAK-ja sot mësoi nga gabimet e kaluara dhe të paktën abstenoi nga frika se mos përsëri po identifikohet nga qytetarët me Listën Serbe, por këto tri subjekte politike shqiptare dhe Lista Serbe që s’është parti serbe, por që synimin e saj thelbësor e ka zhbërjen e Kosovës… S’e ka vendin në Kuvend, s’e ka vendin në udhëheqje komunale dhe prandaj jemi këmbëngulës që të mos ndodhë certifikimi i saj për zgjedhje dhe nuk do të guxojë të ndodhë”, ka thënë ajo.