Milot Rashica ka treguar se presioni dhe kritikët nuk e thyejnë, por vetëm sa e motivojnë më shumë. Sulmuesi shqiptar nga Kosova, i cili së fundmi është përballur me vështirësi në klubin e tij aktual, Beşiktaş, dha një përgjigje të fuqishme ndaj kritikëve – pikërisht në skenën ku vlen më së shumti: në Evropë.
Në një periudhë ku një pjesë e tifozerisë në Stamboll është treguar e ftohtë ndaj tij dhe spekulimet për largimin e mundshëm janë shtuar, Rashica nuk zgjodhi të flasë me fjalë, por me vepra. Ai realizoi një gol të rëndësishëm në minutën e 45-të të ndeshjes së “play-off”-it të UEFA Conference League kundër Lausanne, zhvilluar në Zvicër, duke i dhënë Besiktasit avantazhin 1-0 në pjesën e parë.
Megjithatë, në fund, ndeshja u mbyll me rezultat 1-1, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit dhe garën për një vend në fazën e grupeve të këtij turneu evropian.
Ky gol i Rashicës jo vetëm që i dha skuadrës së tij një epërsi të vlefshme në një moment kyç, por gjithashtu shërbeu si një mesazh i qartë për të gjithë skeptikët: ai mbetet një lojtar vendimtar dhe i rëndësishëm për Besiktasin në momentet më të rëndësishme.
Ndeshja e kthimit do të luhet në Stamboll, me datë 28 gusht, në ora 19:00.