Juventusi ka konfirmuar zyrtarisht largimin e mesfushorit brazilian Douglas Luiz, i cili është transferuar te skuadra e Premier Ligës angleze, Nottingham Forest, në një marrëveshje të përhershme me vlerë totale deri në 31.5 milionë euro.
Në komunikatën zyrtare, “Zonja e Vjetër” ka bërë të ditur detajet e plota financiare të marrëveshjes, e cila është strukturuar në mënyrë të veçantë për të lehtësuar menaxhimin financiar të të dy klubeve.
Në detaje të marrëveshjes përfshihet:
Huazim fillestar për një sezon, me kosto 3 milionë euro;
Detyrim blerjeje në fund të sezonit , me vlerë 25 milionë euro, që do të paguhen në katër këste të ndara;
Bonuse të mundshme, deri në 3.5 milionë euro, në varësi të performancës dhe objektivave të arritur;
Vlera maksimale e marrëveshjes: 31.5 milionë euro.
Douglas Luiz iu bashkua Juventusit verën e kaluar nga Aston Villa për një shumë që shkonte deri në 50 milionë euro, duke u konsideruar si një përforcim i madh për mesfushën bardhezi. Megjithatë, aventura e tij në Torino rezultoi zhgënjyese.
Braziliani pati vështirësi për t’u përshtatur me stilin e lojës në Serie A dhe nuk arriti të fitojë besimin e trajnerëve. Në sezonin e kaluar, ai luajti vetëm tre herë si titullar në kampionat.
Nga ana tjetër, te Nottingham Forest janë entuziastë për afrimin e mesfushorit brazilian. Klubi anglez beson se Douglas Luiz mund të rikthehet në formën e tij më të mirë, siç ndodhi gjatë kohës që ishte pjesë e Aston Villa në Premier League, ku ai ishte një nga mesfushorët më konstantë dhe më të vlerësuar./ATVLIVE.TV







