Për herë të tretë me vendim, Gjykata Themelore i ka ndaluar punimet në sheshin “Xhorxh Bush” në kryeqytet. Megjithatë sot disa ekskavatorë ishin funksional në këtë pjesë të Prishtinës. Komuna tha se po punohet vetëm tek zona ku nuk mbrohet me ligj. E vendimin e Themelores, ministri në dorëheqje i Kulturës njeherit kandidat për kryetar të Prishtinës e cilëson si fitore.
Ky aktvendim i Gjykatës Themelore është i treti me radhë pas dy vendimeve të tjera.
Në arsyetimin e aktvendimit të ri, Gjykata Themelore arsyetimet e Komunës së Prishtinës se duhet masë sigurie pasi dëmtohet interesi qytetar dhe se Komuna do të ketë dëme financiare nuk i ka parë të arsyeshme.
IKMM-ja ia ka bërë të ditur Komunës së Prishtinës se nëpërmjet këtij projekti trajtohen shtatë sheshe si ai i Katedrales, ai i shkollës “Faik Konica”, sheshi komercial i rrugës “Garibaldi”, ai “Xhorxh Bush”, sheshi i koncerteve, i rekreacionit dhe ai i studentëve.
Pesë prej këtyre shesheve, sipas komisionit të IKMM-së, gjenden brenda hapësirës së kufijve të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës.