Në Prishtinë është hapur edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i cili do të zgjasë deri më 29 gusht me pjesëmarrjen e rreth 200 studiuesve nga vende të ndryshme.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi seminarin si ngjarjen më jetëgjatë kulturore në Kosovë dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe.
“Gjuha nuk është vetëm komunikim i nevojave, por mbi të gjitha komunikim i kujtesës, imagjinatës dhe kulturës. Në kohën e zhvillimit të shpejt të Inteligjencës Artificiale, ajo mbetet themeli më solid i ruajtjes së inteligjencës njerëzore… Entuziazmi ynë për gjuhën shqipe duhet vetëm të rritet dhe unë, si kryeministër, shpreh gatishmërinë për të mbështetur këtë mision historik,” tha Kurti.
Drejtoresha e seminarit, Lindita Sejdiu, tha se kjo ngjarje është koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë.
“Institucioni i seminarit është prezantimi më me vlerë i shkencës vendore në një kënd global, por edhe i shkencës globale për albanologjinë brenda një mediumi të përbashkët. Seminari janë Prishtina dhe Tirana bashkë në hartën shkencore ndërkombëtare,” u shpreh Sejdiu.
Seminari, i themeluar në vitin 1974 në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, deri më sot ka zhvilluar 42 sesione dhe mbetet një ndër ngjarjet më të rëndësishme për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.