Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen.
Në këtë takim, Presidentja Osmani theksoi nevojën e avancimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe rëndësinë e largimit të masave të padrejta, të cilat po prekin më së shumti qytetarët e Kosovës.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë që ka funksionimi demokratik i institucioneve të Kosovës për të avancuar objektivat e përbashkëta, duke përfshirë procesin e konstituimit të Kuvendit.
Presidentja trajtoi gjithashtu çështjen e arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë, duke kërkuar angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare për të ndaluar këto veprime të paligjshme.
Ajo theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane dhe orientuar drejt reformave demokratike, të cilat duhet të shpërblehen me hapa konkret nga Bashkimi Evropian.
Presidentja Osmani nënvizoi gjithashtu rëndësinë e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera të rëndësishme.
“Ndërlidhur me Dialogun, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë e të paanshëm, duke përcaktuar objektiva të qarta, gjë që do të kontribuonte po ashtu në avancimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit në tërësi. Ajo e falënderoi z. Sørensen për rolin dhe angazhimin e tij të deritanishëm për një dialog parimor dhe të bazuar në trajtimin e barabartë të palëve.”, thuhet tutje në njoftimin e saj.