PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ
Prokuroria Speciale ende është duke e hetuar rastin e vendosjes së barrikadave në rrugët e katër komunave veriore.
Në këtë drejtim, kishte ftuar për intervistim politikanin serb, Goran Rakiq, i cili aso kohe shpesh paraqitej para kamionëve duke iu prirë protestuesve që ishin të shumtë në numër.
Por, ish-deputeti dhe ish-kryetari i Listës serbe, nuk iu përgjigj këtyre ftesave, andaj Prokuroria speciale ka lëshuar urdhërarrest ndaj tij.
Kjo u konfirmua për ATV-në, pikërisht nga ky institucion.
“Në kuadër të zhvillimit të këtyre hetimeve, Prokuroria ka ftuar tri herë për intervistim z. Goran Rakic. Mirëpo, i njëjti nuk është paraqitur në PSRK, fillimisht duke arsyetuar mungesën me probleme shëndetësore, ndërsa për dy ftesat e tjera nuk ka dhënë ndonjë arsyetim”, njoftuan nga Prokuroria Speciale.
Barrikadat rast për të cilin po e heton prokuroria, ishin vendosur më 10 dhjetor të vitit 2022. Aso kohe, kamionët kishin qëndruar në rrugët kryesore që lidhin komunat veriore me njëra-tjetrën, duke mos u larguar për rreth 20 ditë.
Kështu, nga bllokimi i rrugëve, qytetarët e atyre komunave, kishin mbetur për ditë të tëra me vështirësi në furnizim me gjëra elementare, derisa disa policë kufitarë kishin mbetur të bllokuar në pikën në Bërnjak, derisa ishte intervenuar me helikopterët e KFOR-it.