Kulminacioni i kësaj vale të nxehtit që përfshiu vendin gjatë kësaj jave po parashihet të jetë sot.
Për këtë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dalë me një listë udhëzimesh për qytetarët se si të mbrohen nga këto temperatura dhe të qëndrojnë më të sigurt.
“Vala e të nxehtit që po mbizotëron këto ditë mund të ndikojë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, veçanërisht të grupeve të cenueshme. Periudhat e gjata me temperatura të larta gjatë ditës dhe natës krijojnë stres në trup dhe rrisin rrezikun e sëmundjeve apo vdekjeve nga ekspozimi ndaj nxehtësisë”, paralajmëron IKSHPK.
IKSHPK bëri thirrje për hidratim sa më të shumtë, ndërsa lëshoi paralajmërime për grupet më të cenueshme, përfshirë fëmijët që tha se duhet të ruhen nga ekspozimi në diell dhe të mos lihen kurrë në automjete të parkuara.
Njoftimi i plotë:
Udhëzime për mbrojtje nga të nxehtit dhe temperaturat e larta
🌡️ Vala e të nxehtit që po mbizotëron këto ditë mund të ndikojë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, veçanërisht të grupeve të cenueshme. Periudhat e gjata me temperatura të larta gjatë ditës dhe natës krijojnë stres në trup dhe rrisin rrezikun e sëmundjeve apo vdekjeve nga ekspozimi ndaj nxehtësisë.
✅ Veprimet që duhet të ndërmerren për t’u mbrojtur:
• 🕑 Qëndroni larg të nxehtit: Shmangni daljet dhe aktivitetet e rënda gjatë orëve më të nxehta. Qëndroni në hije dhe kaloni 2-3 orë në një vend të freskët.
• 💧 Mbajeni trupin të freskët dhe të hidratuar: Përdorni veshje të lehta (pambuku), bëni dush të freskët, lagni lëkurën dhe pini ujë rregullisht (1 gotë/orë – 2-3 litra/ditë).
• 🏠 Mbajeni shtëpinë të freskët: Ajroseni gjatë natës kur jashtë është më freskët. Ditën mbyllni dritaret dhe përdorni perde për të penguar rrezet e diellit.
👵👶 Kujdesi për grupet e cenueshme:
• Për të moshuarit mbi 65 vjeç: Kontaktoni rregullisht sidomos ata me sëmundje kronike, paaftësi apo që jetojnë vetëm.
• Për fëmijët: 🚫 Mos i lini kurrë në automjete të parkuara. Shmangni ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta (10:00–17:00).
🚑 Në rast emergjence: Kontaktoni mjekun më të afërt ose telefononi 194.
Vazhdon vala ekstreme e të nxehtit – sot temperaturat arrijnë deri në 44°C