Policia e Himarës ka proceduar penalisht një 51-vjeçar, banor i fshatit Borsh, nën dyshimin se ndezi zjarr të qëllimshëm për pastrim, duke shkaktuar djegien e një sipërfaqeje me bimësi kullotë dhe ferra.
Në njoftimin e Policisë së Shtetit theksohet: “Si rezultat i punës hetimore dhe i veprimeve të shpejta për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë identifikuan shtetasin M. K., i cili dyshohet se ka ndezur zjarr për pastrimin e barit… dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke kullotë, me shkurre dhe me ferra”.
Pas procedimit penal në gjendje të lirë, materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë për veprime të mëtejshme ligjore.