Seanca gjyqësore lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është ndërprerë për shkak të mungesës së dëshmitarit të thirrur nga Prokuroria.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Arben Hoti, konfirmoi se seanca do të vazhdojë të hënën, pasi dëshmitari ”A2” ishte paraparë të dëgjohej gjatë tërë ditës.
Ndërkohë, në këtë seancë, janë sjellë para trupit gjykues tre të akuzuarit kryesorë: Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, të cilët ndodhen në paraburgim, ndërsa 42 të tjerë, përfshirë Millan Radojiçiqin, janë në arrati.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, grupi i armatosur ishte udhëhequr nga i dyshuari Millan Radojiçiq dhe kishte për qëllim kryerjen e veprës terroriste, me synimin për shkëputjen e veriut të Kosovës.