Gjykata Themelore në Prishtinë ka anuluar seancën e rigjykimit ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e partneres së tij argjentinase, Maria Clara Urdangaray.
Shkak për anulimin u bë dështimi i gjykatës për të siguruar një përkthyes të gjuhës gjermane zvicerane, dialekt të cilin sipas mbrojtjes flet i akuzuari.
Mbrojtësi i tij, avokati Tomë Gashi, tha se përkthyesi i ofruar nga gjykata njeh gjermanishten standarde, por jo variantin zviceran. Kujtojmë se Nika ishte dënuar më herët me 18 vjet burgim për vrasje të rëndë, por rasti është kthyer në rigjykim.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur në gusht të vitit 2023, kur 28-vjeçarja argjentinase humbi jetën pasi ra nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë Kosovë.
Sipas prokurorisë, viktima ishte shtyrë pas një përleshjeje fizike në dhomë, ndërsa vetë Nika vazhdon të deklarohet i pafajshëm.





