Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një vizitë pune në Republikën e Letonisë, me ftesë të Presidentit leton, Edgars Rinkēvičs.
Gjatë kësaj vizite njëditore, Presidentja Osmani është pritur me nderime të larta nga Presidenti Rinkēvičs, me të cilin ka zhvilluar një takim bilateral dhe një takim pune me delegacionet përkatëse të të dyja shteteve.
Pas takimeve, dy presidentët kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media, ku Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Letonisë ndaj Kosovës. Me këtë rast, ajo i dorëzoi Presidentit Rinkēvičs medaljen ushtarake presidenciale për Forcat Mbrojtëse të Letonisë, në shenjë falënderimi për kontributin e tyre për paqen dhe sigurinë në Kosovë si pjesë e misionit të KFOR-it.
“Faleminderit Presidentit Rinkēvičs dhe Republikës së Letonisë për pritjen e ngrohtë dhe miqësinë e palëkundur ndaj Kosovës!”, deklaroi Presidentja Osmani në fund të vizitës.
Në kuadër të qëndrimit në Riga, Presidentja Osmani vizitoi gjithashtu Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM), ku u informua për aktivitetet e kësaj qendre që luan rol të rëndësishëm në luftën kundër dezinformimit dhe forcimin e sigurisë kibernetike. Ajo zhvilloi gjithashtu takime me përfaqësues të Odës Ekonomike të Letonisë dhe mori pjesë në një diskutim me ekspertë dhe akademikë mbi politikat për paqe dhe siguri të qëndrueshme.
Kjo vizitë vjen në kuadër të përpjekjeve të Kosovës për forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me shtetet partnere, thellimin e bashkëpunimit në fusha si politika e jashtme, mbrojtja, siguria, ekonomia dhe integrimi euroatlantik, si dhe shkëmbimin e përvojave për forcimin e institucioneve demokratike.