Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për mashtrim publik lidhur me interpretimin e Ligjit për Amnistinë të miratuar në vitin 2013.
Ai reagoi pas deklaratave të deputetëve të Vetëvendosjes, Arbëresha Kryeziu dhe Artan Abrashi, të cilët thanë se me këtë ligj janë falur edhe vepra penale të rënda, përfshirë ato që lidhen me vrasje.
Sipas Grudës, një pretendim i tillë është tërësisht i pavërtetë dhe bie ndesh me përmbajtjen e vetë ligjit. Ai tha se Neni 4 i Ligjit e përcakton qartë se nga amnistia përjashtohen veprat që kanë rezultuar me vdekje apo lëndime të rënda trupore.
Deputeti i PDK-së i ka ftuar qytetarët dhe opinionin publik që të lexojnë vetë tekstin e ligjit për të kuptuar realitetin, duke e cilësuar retorikën e Lëvizjes Vetëvendosje si manipulim të qëllimshëm për përfitime politike.