Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke theksuar miqësinë e palëkundur mes dy vendeve dhe rolin vendimtar të SHBA-së në lirinë dhe shtetformimin e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
“Sot festojmë bashkë me një mik të madh. Një aleat të vërtetë. Një shtet që na doli krah në ditët më të vështira dhe ishte me ne në ditët më të mira”, shkroi Krasniqi në një postim në rrjetet sociale.
Ai theksoi se për Kosovën dhe popullin e saj, SHBA është shumë më tepër se një partner.
“Është shtylla e lirisë sonë dhe shembulli më i mirë i demokracisë që frymëzon çdo ditë popujt e lirë,” u shpreh lideri i PDK-së.
Krasniqi theksoi se PDK është krenare për këtë aleancë dhe e përkushtuar ta forcojë më tej.
“PDK është krenare për këtë miqësi – dhe e vendosur ta thellojë më tej – vit pas viti.”
Ai e përmbylli urimin me një mesazh të drejtpërdrejtë për qytetarët amerikanë.
“Urime SHBA! Urime të gjithë qytetarëve amerikanë, në Kosovë dhe kudo në botë! Gëzuar 4 Korriku!”.