Presidentja Vjosa Osmani, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 249-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka shkruar se urimi vjen “nga populli më pro-amerikan në botë”, duke theksuar lidhjet e ngushta dhe historike ndërmjet dy vendeve.
Urime për këtë ditë kanë shprehur edhe misioni i NATO-s në Kosovë dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. KFOR-i ka kujtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një nga 33 shtetet që kontribuon me trupa në misionin paqeruajtës në Kosovë, ndërsa Haradinaj e ka cilësuar SHBA-në si aleate historike dhe mike të pazëvendësueshme për Kosovën.
Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara shënohet më 4 korrik, në përkujtim të ratifikimit të Deklaratës së Pavarësisë në vitin 1776. Festa kombëtare në SHBA tradicionalisht përcillet me parada, tubime publike dhe fishekzjarrë, duke simbolizuar lindjen e një shteti të ri demokratik.