Vazhdon ngërçi institucional në Kosovë. Janë bërë plot 41 herë që deputetët nuk arrijnë ta përmbyllin seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke lënë vendin pa kryeparlamentar.
Në seancën e fundit, të mbajtur të mërkurën, në sallë ishin të pranishëm 99 deputetë. Në votimin për formimin e Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, morën pjesë vetëm 54 deputetë, të gjithë votuan për, pa asnjë kundër apo abstenim.
Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e partive që në mandatin e kaluar ishin në opozitë nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre, duke refuzuar të propozojnë emra për Komisionin, edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që i obligon deputetët ta zgjidhin këtë çështje brenda 30 ditësh.
Seanca është shoqëruar me tensione dhe përplasje verbale mes kryesuesit Avni Dehari dhe deputetëve të opozitës. Këta të fundit, në vend të propozimeve konkrete, e akuzuan Deharin për “shkelje kushtetuese” dhe kërkuan nga ai që t’i ndërpresë veprimet që sipas tyre janë në kundërshtim me vendimin e Kushtetueses.
Seanca e radhës është caktuar për të shtunën, në ora 11:00, ndërsa afati kushtetues për përmbylljen e konstituimit është duke u ngushtuar çdo ditë.