Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve të ndryshme.
Ai theksoi se mungesa e urave krijon tensione, duke e quajtur këtë projekt si një mundësi për të forcuar lidhjet mes veriut dhe jugut të Kosovës.
“Jam gjithmonë për ura të bashkëpunimit. Këto ura janë të krijuara për të mundësuar më shumë komunikim, qarkullim, bashkëpunim dhe shkëmbime mes qytetarëve”, tha Kurti, duke theksuar se urat nuk janë kundër askujt, por janë për të gjithë qytetarët, për shqiptarët, serbët, boshnjakët, romët dhe të tjerët.
Kryeministri Kurti gjithashtu theksoi se ndërtimi i këtyre urave është plotësisht në përputhje me planet zhvillimore dhe ligjin, duke reaguar ndaj paralajmërimit të Bashkimit Evropian që kishte kërkuar nga autoritetet kosovare të shmangnin veprime të njëanshme, përfshirë ndërtimin e urave të reja.
Ai dha detaje mbi dimensionet e dy urave të reja. Njëra do të jetë 51 metra e gjatë dhe 10 metra e gjerë, me trotuare të përbashkëta nga 1.5 metra, ndërsa tjetra do të jetë 41 metra e gjatë dhe 3.7 metra e gjerë, dhe do të përdoret vetëm nga këmbësorët. Njëra nga urat do të mundësojë kalimin e automjeteve dhe këmbësorëve, ndërsa tjetra do të jetë ekskluzivisht për këmbësorët.
Me ndërtimin e këtyre dy urave, numri i përgjithshëm i urave mbi lumin Ibër në Kosovë do të arrijë në 37, ndërsa në të gjithë lumin, që kalon në Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi, do të jenë gjithsej 77 ura.
Kurti falënderoi kryetarët e komunave të përfshira dhe Ministrinë për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm, që pritet të përfundojë në vjeshtë me një kosto prej rreth 3 milionë euro.
Në lidhje me urën kryesore mbi lumin Ibër, që aktualisht është e mbyllur për qarkullimin e automjeteve dhe monitorohet nga karabinierët italianë, Kurti theksoi se kjo urë ka nevojë të hapet sa më parë, duke shtuar se Kosova nuk do të heqë dorë nga ky qëllim.
“Nuk heqim dorë asnjëherë prej asnjë qëllimi tonë. Kjo urë ka nevojë të hapet. Ne nuk duam të krijojmë kurrfarë fërkimesh me askënd, përfshirë edhe karabinierët italianë, prandaj po i presim që të binden edhe ata, siç jemi bindur ne”, tha tutje ai.