Autoritetet greke kanë paralajmëruar për një rrezik shumë të lartë nga zjarret të mërkurën, në pjesë të mëdha të vendit.
Temperaturat ekstreme dhe erërat e forta po krijojnë kushte të favorshme për shpërthimin dhe përhapjen e flakëve.
Sipas Sekretariatit të Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile, disa zona do të jenë në nivelin 4 të rrezikut (shumë i lartë). Këto përfshijnë: Rajonin e Atikës (përfshirë Athinën), Ishujt Kythira, Lesbos, Kios, Psara, Samos dhe Ikaria, Zona në Peloponez si Argolida, Laconia, Korinthia, Evia jugore dhe Kreta.
Ndërkohë, disa zona të tjera – si në pjesën kontinentale ashtu edhe në ishuj – janë vendosur në nivelin 3 të rrezikut (i lartë).
Greqia ka kaluar një valë të nxehti ekstrem gjatë qershorit, i cili është regjistruar si qershori i dytë më i nxehtë që nga viti 2010. Aktualisht vendi po përgatitet për një tjetër valë, e cila ka rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve.
Në disa zona si ishulli i Kiosit, zjarret tashmë kanë shpërthyer, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Një burrë 65-vjeçar humbi jetën në një kantier ndërtimi në Ilion, në perëndim të Athinës.
Ai ishte duke punuar në kushte të nxehtësisë ekstreme, pavarësisht udhëzimeve zyrtare që ndalojnë punën fizike në natyrë gjatë temperaturave të larta.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin aktivitetet në natyrë që mund të nxisin zjarrin, si ndezja e zjarreve, puna me mjete që krijojnë shkëndija, apo hedhja e cigareve në natyrë.
Shërbimet emergjente ndodhen në gjendje gatishmërie të lartë, ndërsa qytetarët këshillohen të ndjekin me kujdes njoftimet dhe udhëzimet lokale./BBC