Në Shkup po vazhdon samiti dyditor mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, ku po diskutohet zbatimi i Planit për Rritje në rajon.
Sipas agjendës së ditës së sotme, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jenë në mesin e folësve kryesorë në panelet e sotme.
Fokusi i takimit është në vlerësimin e planit, nismat e reja për zhvillim dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve të Ballkanit. Mbrëmë, liderët u pritën në një darkë formale nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hiristijan Mickoski, së bashku me zyrtarët evropianë.
Në samit marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajiq dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, si dhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Botërore dhe organizata rajonale.