Ngërçi institucional në Kuvendin e Kosovës vazhdon të jetë një ndër çështjet më të diskutuara, sidomos për pozitën e kryetarit të Kuvendit, që ende nuk është votuar. Në këtë kontekst, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka theksuar se është e nevojshme një marrëveshje politike për të zhbllokuar situatën.
Limaj ka deklaruar para mediave se pa ndonjë ndryshim konkret të rrethanave, Nisma do të vazhdojë të qëndrojë në qëndrimin e saj të deritanishëm.
“Sido që të jetë, vendi duhet me pasë një shumicë parlamentare, pavarësisht si e qysh bëhen, Nisma e ka ofru një mundësi. Ne kemi dashur që duke kujtuar situatën, nevojën e pasjes së institucioneve, duke votuar që institucionet të krijohen vetëm përmes shumicave parlamentare, duke kujtuar pozicionimin dhe vullnetin të qytetarëve, ne kemi dashur që të jemi të përgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe të japim një mundësi. Unë jam i bindur se Kosova shumë shpejt do t’i ketë institucionet. Derisa nuk ka ndryshim të gjendjes, sjellja jonë në parlament do të jetë siç ka qenë”, ka deklaruar Limaj.
Ai ka ritheksuar se krijimi i institucioneve është urgjencë për vendin dhe se Nisma do të jetë konstruktive, por pa marrëveshje politike, vota e tyre nuk do të ndryshojë.