Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, priti sot në takim Ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini.
Gjatë takimit Abdixhiku e informoi ambasadorin Antonini për qëndrimet e LDK-së lidhur me zhvillimet aktuale politike në vend.
Ai ritheksoi se kriza institucionale me të cilën po përballet vendi është rezultat i paaftësisë së partisë së parë për të krijuar një shumicë parlamentare funksionale, për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit dhe për të konstituar institucionet.
Në këtë kontekst, Abdixhiku po ashtu ritheksoi qëndrimin e qartë të LDK-së se bllokada aktuale politike dhe institucionale është e papranueshme dhe është duke i shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë interesit të qytetarëve tanë si dhe po e cenon mirëqenien e tyre.
Kryetari i LDK-së e njoftoi ambasadorin Antonini edhe për propozimin e LDK-së për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse kalimtare, me mandat dhe detyrime të përcaktuara qartë. Ai theksoi se ky propozim është zgjidhja më e mirë e përkohshme dhe e domosdoshme për të tejkaluar ngërçin aktual dhe për të kthyer funksionalitetin e shtetit.