Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Britanisë së Madhe kanë njoftuar të martën për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, duke përfshirë masa që synojnë flotën nën hije të Moskës, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe kërcënimet hibride.
Kryediplomatja evropiane, Kaja Kallas, lajmëroi përmes një postimi në rrjetin social X se Bashkimi Evropian ka miratuar paketën e 17-të të sanksioneve, që përfshin shënjestrimin e afërsisht 200 anijeve të flotës nën hije të Rusisë.
“Masat e reja gjithashtu trajtojnë kërcënimet hibride dhe të drejtat e njeriut”, ka thënë Kallas. Ajo gjithashtu paralajmëroi se sanksione të tjera janë në proces dhe se “sa më gjatë që Rusia vazhdon luftën, aq më e ashpër do të jetë përgjigjja jonë”.
Nga ana tjetër, Qeveria e Britanisë së Madhe njoftoi 100 sanksione të reja ndaj Rusisë, që shtrihen në disa sektorë, përfshirë ushtrinë, energjinë dhe sektorët financiarë, si dhe ata që zhvillojnë luftën informative të Putinit kundër Ukrainës.
Në një njoftim për shtyp, Qeveria e Britanisë ka theksuar se po punon së bashku me partnerët për të forcuar tavanin e çmimit të naftës, në mënyrë që të kufizohet më tej të ardhurat për makinerinë e luftës së Putinit.