Marrëdhëniet ndërkombëtare po përjetojnë një kthesë të pazakontë, sipas Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, i cili deklaroi se për herë të parë në dekada, është Amerika ajo që po bën thirrje për paqe, ndërsa disa vende evropiane po mbështesin qasjen e përshkallëzimit ushtarak.
Duke folur në Eventin e Bordit në Qendrën Kennedy, Rubio tha: “U them njerëzve se kemi një president paqeje – Donald Trump. Madje, një nga kardinalët me të cilët u takova një ditë para meshës papnore më tha: ‘Është shumë e pazakontë për ne. Kemi një president amerikan që dëshiron paqe dhe disa evropianë që flasin vazhdimisht për të bërë gjëra lufte.’ Pra, bota është paksa përmbys në mendjet e tyre tani. Dhe zakonisht është e kundërta.”
Rubio vuri në dukje se fokusi i administratës Trump është ndalimi i konflikteve të mëdha të armatosura, përfshirë luftën në Ukrainë, dhe arritja e zgjidhjeve diplomatike sa më shpejt që të jetë e mundur. Ai theksoi se SHBA-të po bëjnë investime të mëdha në mbrojtje dhe siguri, por objektivi final është që këto mjete financiare të ridrejtohen drejt zhvillimit ekonomik dhe sektorit publik.
“Ne po forcojmë sigurinë tonë, por një Amerikë pa konflikte do të thotë që mund të investojmë më shumë në arsim, infrastrukturë dhe shëndetësi,” tha Rubio.
Rubio shprehu shqetësimin se retorika e përshkallëzimit nga disa liderë evropianë mund të çojë në pasoja të paparashikuara.
Zyrtari i lartë amerikan përmendi gjithashtu se një rikonfigurim i rolit tradicional të SHBA-ve si aktor dominues në konfliktet globale është tashmë i dukshëm: “Presidenti Trump nuk dëshiron luftë – ai dëshiron marrëveshje dhe stabilitet”.