Kompania Rajonale “Pastrimi” Sh.A. ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Komunës së Prishtinës, duke e akuzuar publikisht për shpërfillje dhe përpjekje për t’i bartur shërbimet publike të pastrimit te operatorë privatë, përmes negociatave të njëanshme dhe pa asnjë konsultim me ndërmarrjen publike, shkruan Gazeta Sinjali.
“Kemi kërkuar takime të vazhdueshme me kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama dhe me drejtorin e Shërbimeve Publike, z. Bekim Bestrovci, por kemi marrë vetëm injorim”, thuhet në deklaratën e KRM “Pastrimi”.
Ndërmarrja thekson se ndërkohë që kërkesat e saj për pagesën e borxhit dhe bashkëpunim janë shpërfillur, Komuna ka zhvilluar bisedime me kompani private për marrjen përsipër të shërbimeve të pastrimit.
“Ndërkohë që jemi anashkaluar tërësisht, jemi informuar që Komuna e Prishtinës në mënyrë të njëanshme ka negociuar dhe ka bërë marrëveshje me kompani private në vlerë prej 2 milionë euro për pastrimin e qytetit, kur në të njëjtën kohë, mjete dhe makineri të ndërmarrjes ‘Pastrimi’ qëndrojnë në deponi të papërdorura”, thuhet më tej në reagim.
Sipas ndërmarrjes, këto veprime të Komunës mund të çojnë në pasoja të rënda për qytetarët dhe rrezikim të funksionimit të ndërmarrjes publike.
“Kjo qasje është jo vetëm dëm për ndërmarrjen dhe qytetarët, por është mungesë serioze e transparencës dhe e përgjegjësisë institucionale”, thekson KRM “Pastrimi”, duke shtuar se “këto veprime të komunës duhet të zgjojnë reagimin e të gjitha institucioneve të drejtësisë”.
Në fund, ndërmarrja rithekson gatishmërinë për bashkëpunim dhe kërkon që Komuna të reflektojë: “Ne siç kemi qenë gjithmonë, edhe sot, nesër, pasnesër e kurdo jemi në dispozicion për takim. Andaj reflektoni në këtë drejtim!”