Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, duke e dënuar me 3 vite burgim dhe 1 mijë euro gjobë të akuzuarën për mashtrim me viza suedeze të 29 personave, Valbonë Peci.
Aktgjykimi i Apelit përmes të cilit është ndryshuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, është marrë më 20 prill 2023.
Gjykata Themelore në Mitrovicë më 29 gusht 2022 e ka dënuar me 4 vite e 10 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë të akuzuarën Peci, po ashtu të njëjtës i është shqiptuar dënimi plotësues i urdhërimit të kompensimit të dëmit ndaj të dëmtuarve.
Kundër këtij aktgjykimi ka paraqitur ankesë mbrojtësja e të akuzuarës Valbona Peci, avokatja Liridona Dervishaj-Pacolli, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe për shkak të vendimit mbi dënimin.
Sipas vendimit të Apelit, ankesa e mbrojtjes është aprovuar si pjesërisht e bazuar, vetëm në lidhje me pretendimet për shkak të vendimit mbi dënimin.
Apeli ka vendosur se gjykata e shkallës së parë në këtë rast rrethanat lehtësuese i ka nënvlerësuar, ndërsa rrethanat rënduese i ka mbivlerësuar, po ashtu ka ardhur në përfundimin se përgjegjësia penale e të akuzuarës është më e ulët se sa siç e ka vlerësuar shkalla e parë, andaj i ka shqiptuar dënim më të butë.
Gjykata e Apelit ka gjetur se pretendimet e mbrojtjes për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nuk janë të bazuara sepse aktgjykimi i ankimuar është konkret dhe i qartë, është përshkruar qartë gjendja faktike e vërtetuar dhe janë paraqitur në mënyrë të plotë faktet dhe arsyet në të cilat gjykata është bazuar për zgjidhjen e kësaj çështje penale.
Tutje, pretendimet e mbrojtjes për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Apeli ka gjetur se nuk qëndrojnë, sepse gjendja faktike në këtë çështje penale është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë nga gjykata e shkallës së parë, dhe asgjë nuk ka ngelur në mëdyshje.
“Se e akuzuara e ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar dhe gjykuar, me pa mëdyshje nga gjykata e shkallës së parë është vërtetuar nga provat si ato personale dhe ato materiale, si deklaratat e të dëmtuarve në cilësi të dëshmitarëve si dhe foto dokumentacioni me tekstet e mesazheve në mes të së akuzuarës dhe të dëmtuarve”, thuhet në vendimin e Apelit.
Tutje, Apeli ka ardhur në përfundimin se nga provat e administruara dhe të vlerësuara drejtë nga gjykata e shkallës së parë, me të drejtë është vërtetuar se në veprimet e të akuzuarës Valbona Peci ekzistojnë të gjitha tiparet objektive dhe subjektive të veprës penale “Mashtrimi” nga neni 323 par.4 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 77 të KPRK-së, për çka me të drejtë është shpallur penalisht përgjegjëse dhe fajtore.
Gjykata e Apelit po ashtu ka konstatuar se pretendimet e mbrojtjes për shkelje të ligjit penal nuk qëndrojnë, sepse drejtë dhe në mënyrë të plotë është aplikuar ligji penal, kur gjykata e shkallës së parë të akuzuarën e ka shpallur fajtore për veprën penale e cila i vihet në barrë, dhe i ka shqiptuar dënimin e caktuar.
Sa i përket pretendimeve ankimore të mbrojtjes për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal, Apeli ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë, me rastin e shqiptimit të dënimit, ka mbivlerësuar rrethanat rënduese dhe ka nënvlerësuar rrethanat lehtësuese.
“Duke pasur parasysh sidomos gjendjen ekonomike të varfër të të akuzuarës e që është e gjendjes së dobët ekonomike (të konstatuar në dispozitivin e aktgjykimit të ankimuar), faktin se më parë e akuzuara nuk ka qenë e dënuar, se ndaj saj nuk zhvillohet procedurë për ndonjë vepër tjetër penale, tani Kolegji penal i kësaj gjykate vlerëson se përgjegjësia penale e të akuzuarës është më e ultë se sa siç e ka vlerësuar gjykata e shkallës së parë, andaj tani të akuzuarës i shqiptohet dënim më i butë”, thuhet në vendimin e Apelit.
Apeli ka vlerësuar se ky dënim më i butë është i drejtë, në pajtim me dispozitat ligjore, në harmoni me shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarës si ekzekutore dhe me intensitetin e rrezikimit të vlerës së mbrojtur.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 11 shkurt 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj Valbonë Pecit, me arsyetimin se ekziston dyshimi i bazuar mirë se në Mitrovicë në raste dhe periudha të ndryshme kohore ka sjellë në lajthitje disa persona, me fshehjen e fakteve e me qëllim që vetes t’i sjell përfitim pasuror, e vetëdijshme për veprën dhe për pasojat e të njëjtës.
Sipas aktakuzës, disa persona në dëm të pasurisë së vet të pandehurës i kanë dorëzuar shuma monetare në mënyrë që e njëjta t’iu sigurojë vizën e punës në Suedi, gjë që nuk e ka bërë në afatet e dakorduara, sepse për një veprim të tillë nuk ka pasur bazë, mundësi dhe as autorizim.
Kështu, aktakuza thotë se nga 29 persona në intervale të ndryshme kohore gjatë vitit 2020 e 2021, sipas kësaj baze ka pranuar shuma monetare, në shumë kumulative prej 61 mijë e 600 euro.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323, par.4 lidhur me par.1 e nenin 77 të Kodit Penal.