Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të dyshuarit I.P., për grisjen e librit të shenjtë të fesë islame, Kuranit, më 3 mars në Prizren.
Kjo gjë u bë e ditur nga Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Sipas Gashit, vendimi për vazhdimin e kësaj mase është marrë më 3 prill, ndërsa i pandehuri dyshohet se me veprimet e tij, ka nxitur urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare.
I.P., thuhet se kishte grisur librin e shenjtë, teksa copëzat e grisura në rrugë i kishin vërejtur qytetarët.
“I njëjti e kishte marrë librin e shenjtë të myslimanëve, Kur’anin të cilin e kishte grisur, ashtu që pasi qytetarët i kanë vërejtur copëzat e grisura në rrugë, rastin e kanë paraqitur në polici dhe me këtë rast është shkaktuar mllef i madh te komuniteti islam dhe është cenuar bashkëjetesa mes grupeve me ideologji të ndryshme fetare me çka edhe mund të prishej rendi dhe qetësia publike”, thuhej tutje në vendim.
Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, par.l të Kodit Penal.
I dyshuari ishte ndaluar më 4 mars, me aktvendim të Prokurorisë Speciale.