Friedrich Merz, kancelari i ri i Gjermanisë, ka prezantuar para Bundestagut agjendën qeveritare, duke theksuar disa nga prioritetet kryesore të qeverisë së tij si rritja ekonomike, menaxhimi i migracionit dhe mbrojtja.
Në fjalimin e tij, Merz ka thënë se në politikën e jashtme, Gjermania do të përpiqet për “unitetin më të madh të mundshëm ShBA-Europë për Ukrainën”, raportoi DW.
Ai ka paralajmëruar se Gjermania do të synojë të ketë “ushtrinë më të fortë konvencionale në Evropë”, duke theksuar se kjo është e domosdoshme për një ekonomi si ajo e Gjermanisë.
“Është e përshtatshme për ekonominë më të madhe dhe më të fuqishme të Evropës. Dhe partnerët tanë e kërkojnë këtë,” u shpreh Merz.
Ai po ashtu theksoi synimin që Gjermania të marrë një rol më të madh në udhëheqjen evropiane. “Gjermania do të riafirmojë rolin e saj të një lideri në Evropë, duke rindërtuar besim me partnerët dhe duke mbështetur Ukrainën”, shtoi ai.
Kancelari ka përmendur edhe rifreskimin e marrëdhënieve franko-gjermane me presidentin Macron, si dhe vizitat në Varshavë dhe Bruksel. Në BE, ai u zotua se do t’i japë fund politikës së abstinencës së Gjermanisë në vendimet e rëndësishme.
Sa i përket angazhimit në NATO, Merz ka qenë i qartë: “Duhet të jemi në gjendje të mbrohemi që të mos kemi nevojë ta bëjmë këtë. Fuqia frikëson agresorët. Dobësia i fton ata.”