Partia Liberale e Australisë ka zgjedhur për herë të parë një grua si kryetare, me Sussan Ley që e pason Peter Dutton pas humbjes së rëndë në zgjedhjet e 3 majit.
Ley, nga krahu moderat i partisë, fitoi përballë kandidatit konservator Angus Taylor me vetëm katër vota diferencë. Zgjedhjet sollën një disfatë historike për koalicionin Liberal-Nacional, i cili humbi dhjetëra ulëse në parlament.
Sussan Ley, që përfaqëson zonën e Farrer në Uellsin e Ri Jugor që nga viti 2001, ka qenë ministre në disa portofole dhe zëvendëskryetare e partisë. Deputeti Ted O’Brien, i njohur për promovimin e energjisë bërthamore, u zgjodh zëvendëskryetar.
Ley premtoi një qasje të re dhe tha se partia duhet të rifitojë besimin e grave dhe të rinjve. Ajo paralajmëroi një rishikim të plotë të politikave, përfshirë qëndrimet për energjinë bërthamore dhe objektivin për emetimet zero.
Ndërkohë, kryeministri Anthony Albanese u betua për një mandat të dytë pas fitores së thellë të laburistëve, që siguruan të paktën 93 ulëse në parlament. Kabineti i tij i ri përfshin ndryshime të mëdha, përfshirë emërimin e Michelle Rowland si prokurore e përgjithshme dhe largimin e Mark Dreyfus e Ed Husic nga fronti ekzekutiv.
E lindur në Nigeri nga prindër anglezë, Ley u rrit në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe u zhvendos në Australi në moshën 13-vjeçare. Ajo ndryshoi emrin nga Susan në Sussan, e frymëzuar nga numerologjia, duke besuar se një “s” shtesë do ta bënte jetën më interesante.
Ka pasur një karrierë të larmishme: mori diploma në ekonomi e kontabilitet, mori licencë si pilote komerciale dhe punoi në zonat e thella të Australisë ndërkohë që rriti tre fëmijë.
U zgjodh në parlament më 2001, u bë ministre e Shëndetësisë në 2014, por dha dorëheqje në 2016 pas një skandali shpenzimesh, për të cilën kërkoi falje. U rikthye në qeveri më 2019 si ministre e Mjedisit, ku u përball me një padi për shkak të mosveprimit ndaj ndryshimeve klimatike – një vendim që fillimisht u pranua, por më pas u rrëzua.
Ley më parë mbështeste çështjen palestineze si bashkëkryetare e një grupi parlamentar, por kolegët thonë se së fundmi ka ndryshuar qëndrim ndaj Izraelit.