Deputetët do të mblidhen sërish sot, në një tentim të radhës për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Kjo është përpjekja e pesëmbëdhjetë për të formuar legjislaturën e nëntë.
Deputetët kanë dështuar plot katërmbëdhjetë herë me radhë të formojnë trupat e Kuvendit.
Procesi ka ngecur të kryeparlamentari, pasi Lëvizja Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa – nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.
Partitë që deri më tash ishin në opozitë janë shprehur kundër emrit të propozuar nga partia e Albin Kurtit – i cili aktualisht është kryeministër në detyrë.
Seanca konstituive ka nisur më 15 maj dhe deri më tash është arritur të bëhet vetëm betimi i deputetëve.
Nga 15 maji, presidentja e vendit, Vjosa Osmani do të nis përpejkjet për të zhbllokuar ngërçin në Kuvend.
Kjo është bërë e ditur nga këshilltari për media, Bekim Kupina i cili tha të hënën se Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit.
Sipas tij, ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë në emrin e Haxhiut për kryeparlamentare.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar ndërrim të kandidatit, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur kundër çdo propozimi të Lëvizjes Vetëvendosje.
Pasi Albulena Haxhiu nuk mori votat e nevojshme për disa seanca me radhë, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje, propozoi që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë. Por, kjo u kundërshtua nga partitë e tjera.
Çështjen e votimit të fshehtë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – e mbështetur edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës – e ka dërguar të hënën në Gjykatën Kushtetuese./KP