Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se vota e tij për Glauk Konjufcën si Kryetar i Kuvendit nuk ishte politike, por erdhi si respektim i Kushtetutës së Kosovës.
Ai sqaroi se vota e tij nuk ishte vendimtare dhe se e ka mbështetur vetëm për shkak të rregullit që kryetari i Kuvendit i takon partisë fituese.
“Vota ime nuk ka qenë vendimtare lidhur me zgjedhjen ose moszgjedhjen e Glauk Konjufcës për Kryetar të Kuvendit. Vota ime ka qenë në respektim të Kushtetutës së Kosovës, që kryetari i Kuvendit i takon partisë që fiton shumicën ose koalicionit që fiton shumicën, respektivisht kandidatin e propozon partia fituese dhe ai duhet të zgjidhet ose të mos zgjidhet dhe të zëvendësohet me një tjetër,” tha Haliti.
Sipas tij, problemi real është politik dhe lidhet me zgjedhjen e qeverisë, që është hapi i ardhshëm urgjent pas konstituimit të Kuvendit.
“Zgjedhja, kjo beteja është politike, nuk është për individin. Problemi është që hapi tjetër është zgjedhja e Qeverisë. Hapet menjëherë ky obligim i dytë që është nga deputetët dhe afati është i shkurtër, është një muaj. Tani ose janë duke biseduar në margjina ose kanë një projekt të dyja palë, pozita e opozita, por e vërteta është që VV-ja nuk po lëshon rrugë,” deklaroi Haliti.
Deklaratën e plotë të Xhavit Halitit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: