Sllovakia e hedh poshtë planin e Komisionit Evropian (KE) për të ndaluar importet e gazit dhe produkteve të tjera energjetike nga Rusia, tha sot kryeministri i saj Robert Fico, duke shtuar se masat janë “të papranueshme në këtë formë” për qeverinë sllovake.
KE njoftoi dje se do të propozojë masa legjislative javën e ardhshme për të ndaluar plotësisht importet e gazit natyror rus dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) deri në fund të vitit 2027. Plani vlen edhe për importet e naftës dhe përfshin masa tregtare për uraniumin e pasuruar rus.
Ky veprim është pjesë e përpjekjeve të BE-së për t’i dhënë fund varësisë së saj energjetike prej dekadash nga Rusia, pasi ajo nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Fico tha se mbështet përpjekjet për të zvogëluar varësinë nga vendet e treta, por se propozimet e Komisionit do të dëmtojnë BE-në, do të rrisin çmimet e energjisë dhe do të kërcënojnë konkurrueshmërinë e Bashkimit Evropian.
Kryeministri sllovak e quajti atë “vetëvrasje ekonomike” për shkak të “Perdes së re të Hekurt”. Ai njoftoi se Bratislava do të kërkonte ndryshime në planin e KE-së.
Propozimet e Komisionit në qershor do të duhet të marrin mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe një shumice të kualifikuar të shteteve anëtare, që do të thotë se kundërshtimi nga një ose dy shtete anëtare nuk do ta ndalojë planin.
Sllovakia mbështetet në gazin rus dhe është në një mosmarrëveshje me Ukrainën për shkak të vendimit të Kievit në fund të vitit të kaluar për të mos rinovuar një kontratë me Rusinë, duke ndaluar rrjedhën e gazit përmes territorit të saj drejt perëndimit.
Rreth 19 për qind e gazit të Evropës vjen ende nga Rusia nëpërmjet tubacionit TurkStream dhe terminaleve të gazit natyror të lëngshëm. Në vitin kur Rusia nisi pushtimin e saj, kjo përqindje ishte 45 për qind.
BE-ja ka vendosur sanksione mbi shumicën e importeve të naftës ruse, por jo mbi gazin, për shkak të kundërshtimit nga Sllovakia dhe Hungaria, vende që janë më pro-Kremlinit dhe të varura nga energjia ruse.