Shërbimi i njohur i thirrjeve video, Skype, është mbyllur zyrtarisht më 5 maj nga Microsoft, duke shënuar fundin e një epoke për komunikimin në internet, përcjell ATV.
Skype, i themeluar në vitin 2003 në Estoni, revolucionarizoi mënyrën se si njerëzit bisedonin përmes teknologjisë VOIP, duke mundësuar thirrje audio dhe video përmes internetit. Pas blerjes nga Microsoft në vitin 2011 për 8.5 miliardë dollarë, Skype pati një sukses të madh global, me rreth 170 milionë përdorues në atë kohë.
Microsoft vendosi ta mbyllë Skype për të fokusuar përpjekjet në platformën Teams, e cila është bërë aplikacioni kryesor i komunikimit dhe bashkëpunimit në kompani. Llogaritë ekzistuese të Skype tani mund të përdoren në Teams.
Ekspertët thonë se Skype ndryshoi mënyrën e lidhjes së njerëzve në distancë, duke e bërë komunikimin ndërkombëtar më të lirë dhe të qasshëm për të gjithë – jo vetëm për bizneset e mëdha.
Pavarësisht rënies së popullaritetit pas rritjes së platformave si Zoom, Slack dhe vetë Teams gjatë pandemisë, Skype mbetet një pararendës i rëndësishëm në historinë e punës dhe komunikimit virtual. /atvlive.tv