​Filmave me prodhim të huaj t’i vendosen tarifa 100%, thotë Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se do t’i vendosë 100% tarifa filmave të prodhuar në vende të huaja, teksa po përshkallëzon përplasjet tregtare me shtete të ndryshme nëpër botë.

Sipas BBC, Trump tha se ka autorizuar Departamentin amerikan të Tregtisë dhe Përfaqësuesin e Tregtisë të SHBA-së që të nisin procesin për të vendosur këtë tarifë, pasi, sipas tij, industria amerikane e filmit është duke vdekur “me një shpejtësi shumë të madhe”.

Ai fajësoi një “përpjekje të koordinuar” nga vende të tjera që ofrojnë stimuj për të tërhequr producentët dhe studiot, të cilën e përshkroi si një “kërcënim për Sigurinë Kombëtare”.

“Kjo është, përveç të gjithave, edhe çështje mesazhi dhe propagande!”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social. “DUAM QË FILMAT TË PRODHOHEN NË AMERIKË, SËRISH!”

Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, iu përgjigj njoftimit të fundit duke thënë, “Jemi duke u marrë me këtë”.

Por detajet mbi këtë veprim mbeten të paqarta. Deklarata e Trump nuk specifikoi nëse tarifa do të zbatohej për kompanitë amerikane që prodhojnë filma jashtë vendit.

Disa nga filmat e fundit madhorë të prodhuar nga studiot amerikane janë xhiruar jashtë SHBA-së, përfshirë Deadpool & Wolverine, Wicked dhe Gladiator II.

Gjithashtu mbetet e paqartë nëse tarifat do të zbatohen edhe për filmat në platforma ‘streaming’, si Netflix, apo vetëm për ata që shfaqen në kinema, si dhe se si do të përllogariten ato.

Departamenti britanik për Kulturë, Media dhe Sport, instituti britanik i filmit British Film Institute dhe Shoqata e Filmit të Amerikës (Motion Picture Association), që përfaqëson pesë studiot kryesore amerikane të filmit, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment të BBC-së.

Qeveritë e Australisë dhe Zelandës së Re kanë dalë në mbështetje të industrive të tyre kombëtare të filmit.

“Asnjë nuk duhet të ketë dyshime se ne do të qëndrojmë pa mëdyshje në mbrojtje të të drejtave të industrisë australiane të ekranit”, tha ministri australian i Punëve të Brendshme, Tony Burke.

Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, tha në një konferencë për media se qeveria e tij është në pritje të detajeve të mëtejshme lidhur me tarifat e propozuara.

“Por ne, sigurisht, do të jemi avokatë dhe mbështetës të mëdhenj të këtij sektori dhe të kësaj industrie”, shtoi ai.

Që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka vendosur tarifa ndaj shumë vendeve, duke pretenduar se do të forcojnë prodhimin amerikan dhe do të mbrojnë vendet e punës. Megjithatë, kjo ka shkaktuar kaos në ekonominë globale dhe rritje të çmimeve.

Para inaugurimit, Trump emëroi aktorët Jon Voight, Mel Gibson dhe Sylvester Stallone si ambasadorë të posaçëm për të promovuar biznesin në Hollywood, të cilin e përshkroi si “një vend të madh, por shumë të trazuar”.

Sipas firmës kërkimore ProdPro, SHBA-ja mbetet një qendër kryesore e prodhimit filmik, me 14.54 miliardë dollarë shpenzime në vitin e kaluar – një rënie prej 26% krahasuar me vitin 2022. Investimet janë zhvendosur drejt Australisë, Zelandës së Re, Kanadasë dhe Britanisë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA