Mijëra njerëz po protestojnë sot në Athinë për të shënuar festën e 1 Majit, ndërsa trafiku i qytetit dhe detar është ndërprerë nga greva.
Tragetet që lidhin Greqinë kontinentale me ishujt në detin Egje dhe Jon mbetën të ankoruar të enjten, ndërsa metroja, autobusët dhe trolejbusët në Athinë pësuan ndërprerje.
Konfederata e Përgjithshme e Punonjësve Privatë GSEE, bëri thirrje në një deklaratë për “politika aktive kundër kostos së lartë të jetesës dhe krizës së strehimit”, ndërsa shumë grekë marrin paga të ulëta.
Sindikata PAME u zotua gjithashtu të intensifikojë “luftën për rritje pagash, marrëveshje kolektive, shërbime publike dhe shkolla e spitale që janë në përputhje me përparimin shkencor”, ndër të tjera.
Në Selanik, qyteti i dytë më i madh i vendit, rreth 7 mijë njerëz u mblodhën, sipas policisë lokale, me pankarta “Le të paguajnë të pasurit, le të fitojnë njerëzit” dhe “Fitimet e tyre ose jetët tona”.
“Ne kërkojmë një rritje pagash që të mund të jetojmë, marrëveshje kolektive që do të na mbrojnë, punë dhe një jetë me të drejta,” tha përfaqësuesi i sindikatave Haris Kyprianidis.
Sindikatat kritikojnë pagat e ulëta në një vend ku, me gjithë rigjallërimin e rritjes, pabarazitë sociale janë gjithnjë e më të dukshme, raporton KosovaPress.
Paga minimale në Greqi u rrit më 1 prill 6.02 për qind në 880 euro bruto (743 euro neto).