Autoriteti i Konkurrencës bëri të ditur se për shkak të shqetësimeve të ngritura nga qytetarët dhe raportimeve të shumta në media, ka intensifikuar aktivitetet e tij për monitorimin e tregut.
“Aktualisht, është duke u zhvilluar një analizë e thelluar e mbi 20 produkteve bazë për të analizuar arsyet e ngritjeve të çmimeve në tregun e Kosovës. Gjithashtu, ka filluar monitorimi i tregut të bukës dhe Autoriteti është në proces të mbledhjes së informatave për të vlerësuar nëse rritjet e fundit të çmimeve në këtë sektor janë të arsyetuara apo në kundërshtim me ligjin për konkurrencën.
Në të njëjtën kohë, sektori i gastronomisë, me theks të veçantë në rritjen e çmimit të kafesë, është po ashtu nën vëzhgim. Inspektorët e Autoritetit janë duke zhvilluar vizita në terren në qytete të ndryshme të Kosovës, duke mbledhur të dhëna dhe informata direkte nga operatorët e tregut.
Pas përfundimit të fazës së analizës dhe grumbullimit të informatave, nëse identifikohen shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore, në përputhje me kompetencat e tij”, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës .