Ministria e Kulturës ka hapur konkursin për projektimin e peizazhit kulturor të Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, i cili llogaritet të kushtojë tre milionë euro.
Master-plani që duhet ta ruajë origjinalitetin e objekteve ekzistuese, duhet ta përfshijë projektimin për pesë zona.
Fillimisht, duhet të projektohet për konservimin e Kullave të rezistencës dhe bunkerit, objektin e informacionit, amfiteatrin veror, muzeun, shtatoren e Adem Jasharit, obeliskun, objektin për Gardën ceremoniale të FSK-së.
Veç tyre, duhet të planifikohen edhe parkingjet, si dhe zhvendosja e disa shtëpive të lagjes, përfshirë edhe shtëpitë e familjes Jashari dhe objekte të tjera të nevojshme.
Në zonën A3, ku ndodhet edhe fabrika e municionit, parashihet të jetë zona e funksionit kulturor, edukativ dhe rekreativ.
Në fabrikën e prodhimit apo në magazinë, sugjerohet të vendoset Muzeu i Rezistencës, i cili do t’i përfshijë koleksionet, hulumtimet dhe prezantimet e Drenicës dhe familjes Jashari.
Ndërsa, në objektet shoqëruese planifikohet të ndërtohen tri restorante, një bujtinë për studiuesit. Ndërsa, në ambient të hapur, planifikohet një strukturë për kampe verore, të shkollave të të rinjve dhe tubime mbi historinë.
Sallë ekspozitash dhe konferencash me hapësira për punëtori, të cilat do të mund të akomodojnë festivale teatri, vallëzimi dhe formave të tjera muzikore.
Fituesi i projektit i ka dy vite kohë që ta përfundojë gjithë master-planin. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: