Sociologu Jeton Brajshori, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se shoqëria kosovare duhet të punojë më shumë me vetveten për të ndërtuar identitet të qëndrueshëm dhe për të shmangur racizmin dhe paragjykimet ndaj grupeve të margjinalizuara.
Ai tha se, ndonëse jemi shpesh paragjykues ndaj të dobëtëve, shfaqim servilizëm ndaj të huajve të fuqishëm, gjë që tregon një mospërputhje në qëndrime.
“Realisht jemi shoqëri goxha paragjykuese, pak raciste, por edhe goxha edhe servile nganjëherë, sepse çështja ka të bëjë kur jemi pak racist dhe paragjykues, normalisht që jemi ndaj grupeve të margjinalizuara të cilat i kemi në shoqërinë tonë. Mirëpo kur kemi punë me perëndimorë që janë jashtëzakonisht të fortë, atëherë aty vjen paksa në shprehje ai serviliteti paksa më i madh. Prandaj ne duhet të punojmë shumë secili me vetveten në mënyrë që të krijojmë një identitet tonin, mos të jemi etnocentrik, edhe pse mirë është me qenë etnocentrik sado pak sepse kërkon dashuri ndaj kombit tënd. Mirëpo duhet të punojmë shumë secili me vetveten që të tjerët të na respektojnë dhe ne duhet të kemi empati edhe për grupet e tjera, për shkak se jemi vet ata të cilët e kemi përjetuar gjatë viteve të 90-ta diskriminimin dhe paragjykimet nga ish-pushtuesi, dhe ne jemi ata që më së paku të merremi me paragjykime dhe diskriminim”, tha Brajshori.
Duke komentuar rastin e futbollistit të komunitetit ashkali, ai u shpreh i habitur që ndeshja nuk u ndërpre pas sulmit ndaj një lojtari minoritar.
“Sa i përket rastit të lojtarit në fjalë, për mua ka qenë e çuditshme pse nuk është ndërprerë ndeshja dhe nuk janë ftuar organet e rendit, për shkak se është sulmuar një person minor. Unë e kam dëgjuar deklaratën e Belginit, i cili thotë se vazhdimisht, edhe në ndeshjet e kaluara edhe gjatë ndeshjes, është përballuar me ofendime me terma pezhorativë që është quajtur. Pra, në këtë mënyrë, në zhargonin futbollistik, referi i ndeshjes, delegati i ndeshjes – për mua e kanë karton të kuq”, deklaroi Brajshori.
Deklaratën e plotë të Jeton Brajshorit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: