Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, i ka thënë KosovaPress-it se ndodhet në objektin e Komunës.
Sipas tij, aty situata është e qetë ndërsa brenda, ka thënë ai, ndodhet edhe Policia e Kosovës.
“Jam brenda objektit në zyrën e kryetarit të Komunës, Janë disa pakënaqësi jashtë por brenda objektit çdo gjë është nën kontroll. Edhe brenda objektit janë Policia, janë duke i larguar disa shenja, disa flamuj, disa shkrime”, ka thënë ai përmes telefonit.
Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka njoftuar se po asiston kryetarët e zgjedhur për të hyrë në objektet komunale.
Para objekteve komunale në veri të vendit janë mbledhur qytetarë, ndërsa janë dëgjuar edhe sirena alarmi.
Të shtëna armësh janë dëgjuar në Zveçan, ndërsa janë djegur vetura të Policisë.
Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë qytetarët e mbledhur para objektit të Komunës së Zveçanit.
Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviqit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten. Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, por ceremonia është zhvilluar në ndërtesa të tjerë publike.
Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kishin dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar.
Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që obligonte qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës.