Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, në një lidhje përmes Skype në emisionin CONTEXT në ATV, tha se nëse edhe nesër nuk zgjidhet Kryetari i Kuvendit, plani B i VV-së është të shpresohet në reflektimin e zërave të arsyeshëm brenda opozitës.
Ai tha se nuk ka asnjë bazë të qëndrueshme për bllokimin e votimit të Kryesisë së Kuvendit dhe e quajti këtë qëndrim të opozitës si një absurditet politik.
“Plani B është me shpresu se do të ketë reagim të zërave të arsyeshëm, për të cilët unë jam i bindur që ekzistojnë brenda grupeve parlamentare opozitare… Asnjë bazë të fortës qëndrueshme se pse nuk duhet me u votu Kryetari i Kuvendit, nuk ka”, tha Abrashi.
Ai kujtoi edhe situatën e ngjashme me raportin e KQZ-së, ku sipas tij, arsyeshmëria në fund dominoi dhe u tejkalua bllokada.
“Me të vërtetë mendoj që ka me fillu me dominu arsyja, qysh dominoi fillimisht arsyeja pas bllokadës katërditore me çështjen e raportit të KQZ-së. E panë ata se çfarë gabimi katastrofal kishin bërë. Edhe tash jemi në fazën e dytë të bllokadës, që është votimi i Kryetarit të Kuvendit”, u shpreh Abrashi.
Deklaratën e plotë të Artan Abrashit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: