​Dështimi i konstituimit të Kuvendit, kërkohet nga Osmani t’i ftojë për konsultime partitë

Shoqëria civile po kërkon nga presidentja Vjosa Osmani t’i ftojë partitë parlamentare për konsultime, pas dështimit për herë të pestë të konstituimit të Kuvendit. Një ditë para vazhdimit të seancës, po shihet e domosdoshme përfshirja e së parës së shtetit, nëse ngërçi politik vazhdon. Sipas tyre, Osmani duhet të gjejë mënyrat për të dalë nga ngërçi politik, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Zyrën e Presidencës në lidhje me ftesën e mundshme që shefja e shtetit mund t’iu dërgojë partive politike për të gjetur një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Sidoqoftë, presidentja Osmani e ka lënë të hapur këtë mundësi në një letër drejtuar kryesuesit të seancës konstituive Avni Dehari më 16 prill, pas dështimit për herë të parë që të votohet verifikimi i mandateve të deputetëve.

Në Kuvendin e Kosovës për herë të pestë ka dështuar të konstituohet legjislatura e nëntë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhje, ka të drejtën ekskluzive të nominojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014.

Mirëpo, e njëjta në tri tentime ka dështuar ta zgjedhë kryeparlamentare deputeten Albulena Haxhiun. Ajo në seancat e 19 prillit dhe të 23 prillit mori vetëm 57 vota nga 61 sa janë të nevojshme për të marrë këtë post.

Kundër zgjedhjes së saj në organin më të lartë legjislativ janë deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq tre deputetët e Nisma Socialdemokrate po abstenojnë.

Nga radhët e komuniteteve jo shumicë, deputetët e Listës Serbe në seancën e fundit nuk morën pjesë në votim. Të njëjtën gjë e bëri edhe deputetja nga komunitetit boshnjak, Duda Balje.

Kjo situatë e krijuar në Kuvend, sipas hulumtuesit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku reflekton krizën politike në të cilën ka hyrë vendi. Andaj ai e sheh të domosdoshme përfshirjen e presidentes Osmani për gjetjen e një zgjidhje, duke ftuar në takim krerët e partive parlamentare.

“Në këtë fazë, kur kemi një ngërç në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, për shkak të pamundësisë së grupit më të madh parlamentar për të zgjedhur kandidatin e propozuar nga ky subjekt politik. Meqenëse, nuk ka ndonjë mekanizëm ligjor që e detyron kufizimin se deri në çfarë mase mund të propozohet dhe ri-propozohet një kandidat për kryetar të Kuvendit. As Kushtetuta, as ligji dhe as Rregullorja e Kuvendit, dhe as aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese 2014, kur është sqaruar çështja e grupit më të madh parlamentar dhe aspekti i propozimit për pozitën e kryetarit të Kuvendit, nuk kanë specifikuar se kur apo si konsumohet kjo çështje. Meqenëse, jemi në një bllokadë politike, roli i presidentes në këtë situatë mund të jetë më tepër si garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve të Kosovës. Nuk ka asnjë pengesë që e njëjta të ftojë të gjithë krerët e partive politike dhe nga ajo të shikohet se si të dilet nga kjo krizë politike”, thekson ajo.

Monitoruesi i punës së Kuvendit nga radhët e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, thotë se takimi i mundshëm i presidentes Osmani me partitë politike mund të prodhojë votimin e një kandidati koncensual nga radhët e LVV-së ose edhe votimin e kandidates së tyre, Albulena Haxhiu nga partitë të tjera parlamentare.

Rrugë tjetër sipas tij është edhe që presidentja të dërgojë këtë situatë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Ai e sheh të nevojshme që Kushtetuesja të jep një rrugë sesi të shkohet tutje në rast se partia e parë në zgjedhje nuk i ka votat e nevojshme për të zgjedhur kryeparlamentarin.

“Në seancën, e cila pritet të mbahet të premten, vërehet që nuk do të ketë ndonjë kalim tjetër nga kjo situatë. Meqenëse nuk ka, atëherë kryesuesi i seancës duhet të lejojë që përfaqësuesit politikë të partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës të marrin secili fjalën, dhe jo në takime të fshehta dhe pa transparencë. Nga ai takim i Kuvendit, në rast se dështon zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, të shkohet me kërkesë te presidentja e Kosovës për dy rrugë: qe nga ai takim të prodhohet një kandidat koncensual ose që ky kandidat të votohet, dhe nëse nuk ka sukses, të shkohet me kërkesë ndaj presidentes që ajo të adresojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, për të vlerësuar se çfarë duhet të ndodhë më tutje”, thekson Jakaj.

Në Lëvizjen Vetëvendosje kanë theksuar se do të vazhdojnë të propozojnë Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, përkundër dështimit në tri tentime. Megjithatë e kanë konsideruar të nevojshme arritjen e një marrëveshje politike për zgjedhjen e saj dhe të nënkryetarëve të tjerë të Kuvendit. Mirëpo, në bazë të deklaratave politike nuk janë shprehur të hapur për gjetjen e një kompromisi për zgjidhjen e kësaj krize politike.

Vazhdimi i gjashtë i seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë mbahet të premten. /kp

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA