Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka kritikuar ashpër partitë opozitare pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke i akuzuar se janë të painteresuara për ta çuar vendin përpara, raporton ATV.
“Jemi dëshmitarë të një tjetër dështimi për konstituimin e Kuvendit. Opozita nuk është e interesuar të marrë pjesë në proces, madje as në konsultime,” tha Murati për gazetarët në hollin e Kuvendit.
Sipas tij, sjellja e opozitës është paradoksale: “Në njërën anë thonë që duhet marrëveshje, në anën tjetër refuzojnë takimet për t’u arritur ajo marrëveshje.”
Ai tha se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit nuk është vetëm përgjegjësi e partisë fituese, por një proces që përfshin të gjitha grupet parlamentare si përfaqësuese të qytetarëve. “Kuvendi është shtëpia e pluralizmit demokratik, dhe të gjithë duhet të kontribuojnë në themelimin e tij,” u shpreh Murati, duke shtuar se opozita po e pengon këtë përmes bllokadave dhe mungesës së vullnetit për zgjidhje.
Seanca e radhës për tentimin e konstituimit është paraparë të mbahet të premten. Mbetet të shihet nëse palët do të arrijnë marrëveshje për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të hapur rrugën drejt formimit të institucioneve të reja. /atvlive.tv