Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës se situata aktuale nuk mund të zvarritet pafundësisht dhe se ekzistojnë vetëm dy zgjidhje: dakordimi ndërmjet partive për formimin e institucioneve ose shkuarja në zgjedhje të reja, raporton ATV.
Ajo tha se ishte kërkesë e grupit të saj parlamentar që kandidatura e Albulena Haxhiut të mos procedohej në votim, duke pasur parasysh qëndrimet publike të partive opozitare, të cilat e kishin bërë të qartë se nuk do ta përkrahnin.
“Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit kërkon pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve dhe është obligim për të gjitha grupet parlamentare,” tha Kusari-Lila, duke shtuar se qëndrimi i opozitës synon të bllokojë edhe procesin për nënkryetarët, në rast se votohet kryeparlamentari.
“Me këtë qasje, duhet të dakordohemi, t’i thërrasim të gjitha partitë dhe ta konstituojmë Kuvendin, ose të shkojmë në zgjedhje të reja. Nëse pas dy ditësh partitë reflektojnë, mund ta përmbyllim këtë proces”, theksoi ajo. /atvlive.tv